You must enable JavaScript to view this site.
This site uses cookies. By continuing to browse the site you are agreeing to our use of cookies. Review our legal notice and privacy policy for more details.
Close
Homepage > Regions / Countries > Europe > Balkans > Kosovo > Serbia and Kosovo: The Path to Normalisation

Serbia dhe Kosova: Rruga drejt Normalizimit

Europe Report N°223 19 Feb 2013

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE DHE REKOMANDIME

Kosovës i rrëshqiti toka nën këmbë në dhjetor të vitit 2012. Pas vitesh pozimi, të ndërprera shpërthimet e dhunës, Serbia dhe Kosova filluan të zbatonin një marr­ëveshje shumë të rëndësishme për kontrollin kufitar, hapjen e pikave të përbashkëta në kalimet kufitare të cilat kanë qenë të barrikaduara, të rrethuara ose të djegura plotësisht, thuajse gjatë gjithë kohës këto dy vitet e fundit. Tashmë, në agjendën e dialogut të lartë dypalësh, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) janë futur çështje më të rëndësishme, si gjykatat, policia dhe strukturat komunale në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Udhëheqësit e të dy shteteve duken më të gatshëm se kurrë për të arritur në një kompromis, por serbët e veriut të Kosovës kundërshtojnë me forcë integrimin, dhuna në nivel qytetar është në rritje, nacionalistët e Kosovës janë të tensionuar, dhe mjafton një shkëndijë për të nxitur sherre ndër-komunale. Beogradi dhe Prishtina duhet të shfrytëzojnë këtë rast për t’u përfshirë në diskutime themelore për transformimin e strukturave ekzistuese në Veri, dhe të ofrojnë një rajon vetë-qeverisës që përshtatet brenda juridiksionit të Kosovës, bazuar në apli­ki­min me fleksibilitet të elementeve të planit të Ahtisarit.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mos jenë dakord për shumë gjëra. Për Prish­tinën, negociatat synojnë pranimin nga ana e serbëve e planit të Ahtisarit – korniza e hartuar fillimisht nga Marti Ahtisari, ish i dërguari special i Kombeve të Bashkuara – i cili përcaktoi strukturën e brendshme dhe shtetësinë e Kosovës. Për Beogradin, bisedimet lidhen me rishqyrtimin dhe përmirësimin e marrëveshjeve që i kon­si­de­ron si të mangëta apo të papranueshme, siç është plani i Ahtisarit. Ndasia midis dy palëve u zmadhua gjatë viteve të tëra me shumë pak kontakt të drejtpërdrejtë, mosbesim të shtuar dhe politika të brendshme jokoherente. Do të jetë e vështirë që të gjendet një lundrim i sigurt nëpër këto ujëra, por zhvillimet e kohëve të fundit janë shpresëdhënëse pasi rezultatet në fazat e hershme të bisedimeve e kanë shkrirë disi ngrirjen e përbashkët. Kohët e fundit Serbia kaloi një prag përmes afirmimit, së paku në mënyrë të pashprehur, të integritetit territorial të Kosovës dhe juridiksionit mbi veriun, edhe pse ende e mohon pavarësinë e saj. Të dy kryeqytetet duket se e kanë përjashtuar përdorimin e forcës për të arritur zgjidhje për mosmarrëveshjen e tyre politike.

Depërtimi ishte rezultati i parë i prekshëm i bisedimeve midis dy kryeministrave që u mbajt nën kujdesin e Catherine Ashton, kryesuesja e politikës së huaj të BE-së. Deri më tani, këto takime kanë qenë kryesisht për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për marrjen e vendimeve të përshtatura më herët nga ekspertët. Ka qenë e mundshme që të kornizohen rezultatet në mënyrë paksa të dyanshme, aq sa për të lejuar të dyja palët që të mbajnë parimet e tyre rreth statusit të Kosovës. Megjithatë, kësaj periu­dhe po i afrohet fundi. Do të jetë më e vështirë që të mbahet dyanësi gjatë çështjeve të agjendës në vijim, të cilat kanë të bëjnë me ligjin dhe institucionet që do të sun­dojnë në veriun e Kosovës.

Në dhjetor 2012, shtetet anëtare të BE-së vendosën kushte të forta, të lidhura ngushtë me normalizimin gradual të marrëdhënieve të tyre dypalëshe për Serbinë dhe Kosovën, që të përparojnë në lidhje me rrugën e tyre drejt hyrjes në BE. Për të filluar negociatat për anëtarësim, Serbisë iu kërkua që të dorëzonte në formë pro­gresive strukturat e sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës në bashkëpunim me Kosovën. Kjo nënkupton progres substancial në diskutimet mbi atë se si duhet të menaxhohen gjykatat lokale, policia dhe komunat. Ndërkohë që këto institucione gjenden jashtë kontrollit të Prishtinës, mund të gjenden zgjidhje që mund të afir­mojnë unitetin shtetëror, ndërkohë që serbët vendorë lejohen që të ruajnë ndjenjën e tyre të pronësisë.

Transformimi i strukturave veriore në trupa vetëqeverisës që futen në juri­dik­sionin e Kosovës, mund të shtrojë rrugën për t’i ofruar veriut një strukturë të veçantë si pjesë zgjidhjes së përgjithshme. Mund të arrihet shumë përmes aplikimit fleksibël të planit të Ahtisarit në lidhje me policinë, gjykatat dhe qeverisjen rajonale. Njëri nga parimet duhet të jetë që kufijtë e Kosovës mbeten të paprekur; një tjetër duhet të jetë që veriu të qeverisë veten siç dëshiron kur bëhet fjalë për çështje me interes komuniteti, për aq kohë sa nuk dëmton integritetin territorial të Kosovës. Prishtina po ashtu kërkon afirmimin e statusit të saj si shtet i pavarur, të cilin Beogradi e kun­dërshton fuqimisht. Megjithatë, edhe këtu ka vend për kompromis, pasi Serbia mund të heqë bllokadën që i ka vendosur anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen në ngjarjet ndërkombëtare sportive dhe kulturore. Këto janë çështje komplekse dhe shumë të ndjeshme detajet e të cilave mund të përpunohen gradualisht, krahas me proceset hyrëse në BE të Kosovës dhe Serbisë.

Por dialogu gjendet tashmë në pikë vendimtare. Pozicionet e Beogradit dhe Prish­tinës për veriun e Kosovës nuk kanë qenë kurrë më pranë. Nëse ata mund të fina­lizojnë marrëveshjet për kufijtë dhe të bëjnë progres të qëndrueshëm në bisedimet për institucionet qeverisëse dhe sundimin e ligjit në veri, përpara samitit të Këshillit Evropian në qershor 2013, BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë të dy. Për Kosovën, negocimi për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, do t’i forconte pozitën e saj në procesin e hyrjes në BE po aq fort sa edhe pjesës tjetër të rajonit. Për Serbinë, fillimi i negociatave formale për anëtarësim do të paraqiste një shtytje të madhe në përpjekjet për reformim. Së bashku me hyrjen e Kroacisë në BE në korrik, këto arritje do të shpërndaheshin përgjatë gjithë Ballkanit perëndimor. Por nëse bisedimet dështojnë gjatë muajve në fillim, politikat e shteteve të BE-së do të diktonin një pauzë të gjatë të cilës koalicionet e brishta në Beograd dhe Prishtinë, nuk do të mund t’i mbijetonin, dhe dhuna në nivel qytetarësh që po përhapet në rajon në fillim të 2013, mund të përshkallëzohet. Një mundësi premtuese si kjo, mund të mos vijë sërish shpejt, madje mund të mos përsëritet më.

REKOMANDIME

Të zhvillohet besim dhe të forcohet mirëbesimi në dialogun dypalësh
të lehtësuar nga BE-ja, përmes konsolidimit të arritjeve të deritanishme,
në veçanti në lidhje me kufijtë

Qeverive të Kosovës dhe Serbisë:

1.  të zbatojnë plotësisht marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikave kalimtare kufitare (IBM); të finalizojnë marrëveshjen për mbledhjen e taksave doganore dhe TVSH-së; dhe të përcaktojnë modalitetet e një fondi të veçantë për mbledhjen dhe shpërndarjen e të ardhurave vjetore në veri.

Për qeverinë e Kosovës:

2.  Ruajë një qasje të butë në dy portat kufitare veriore të Kosovës, duke:

a) lejuar banorët lokalë të kalojnë me karta identiteti dhe targa automjetesh të lëshuara nga Serbia ose Kosova; dhe

b) vazhduar nxjerrjen e targave pa u kërkuar licenca ose karta identiteti të Kosovës.

Për qeverinë e Serbisë:

3.  Të ndalojë lëshimin e targave për banorët e Kosovës dhe të nxisë serbët që të aplikojnë për targa kosovare.

Për komunitetet e veriut të Kosovës:

4.  Tu lejojë lëvizje të lirë zyrtarëve kosovarë dhe atyre të EULEX-it për të mbërritur në kufijtë e Serbisë dhe për të kryer detyrat e tyre bazuar në marrëveshjen për IBM.

Të zhvillojë besimin dhe të forcojë mirëbesimin në dialogun dypalësh
të lehtësuar nga BE-ja, përmes rritjes së mirëkuptimit dhe zgjerimit të pjesëmarrjes

Qeverive të Kosovës edhe Serbisë:

5.  Të bëjnë dialog më transparent, në veçanti duke marrë masa për ta shpjeguar këtë proces në tërësi tek serbët e veriut dhe duke i ftuar ata që të marrin pjesë nëse ky dialog adreson çështje me interes lokal; të punojnë nga afër me udhë­heqësit e të gjitha partive parlamentare për t’i informuar ato rreth çështjeve që po diskutohen dhe vendimet që po merren.

Komunitetit në veriun e Kosovës:

6.  Të pranojë ftesën për pjesëmarrje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja kur adreson çështjet me interes lokal; të fillojë të angazhohet me zyrtarët e qeverisë së Kosovës.

Të zhvillojë besimin dhe të forcojë mirëbesimin në dialogun dypalësh të lehtësuar nga BE-ja, përmes arritjes së progresit gjatë hapave të tjerë, përfshirë sundimin e ligjit, telekomunikimin dhe energjinë dhe çështje të tjera praktike

Për qeverinë e Kosovës:

7.  Të ofrojë siguri efektive për serbët dhe pronat e tyre, duke përfshirë edhe for­mi­min e një njësi speciale policore për mbrojtjen e objekteve fetare dhe kulturore.

8.  Të rrisë autonominë operative të Policisë së Kosovës (PK) në veri duke krijuar një komandë rajonale veriore dhe nxisë rekrutimin e policisë lokale serbe (MUP) për të mbushur vendet e lira.

9.  Të pranojë një kod unik telefonik ndërkombëtar të sugjeruar nga Serbia; dhe të japë licenca për një firmë serbe të telefonisë mobile për të vepruar në veri dhe një nën-kontraktues serb për t'u marrë me shpërndarjen e energjisë elektrike dhe inkasimin e faturave atje.

Për qeverinë e Serbisë:

10.  Të fillojë tërheqjen e policisë serbe dhe shërbimeve të tjera të sigurisë nga veriu dhe të mbështesë përpjekjet e Kosovës për të rekrutuar ish efektiva të MUP-it në Policinë e Kosovës, duke bashkëpunuar plotësisht në kontrollin dhe sigurinë e së kaluarës së kandidatëve.

11.  Të bjerë dakord që të integrojë gjykatën serbe në Zveçan në gjyqësorin e Kosovës dhe ta zhvendosë gjykatën dhe gjykatësit e saj në veri të Mitrovicës, në këmbim të ofrimit nga ana e Prishtinës, së rolit të autoriteteve lokale në emërimin e gjyqtarëve të ardhshëm.

12.  Të pajtohet me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

Qeverive të Kosovës dhe Serbisë:

13.  Të forcojnë pranitë ndërlidhëse në zyrat e BE-së në Beograd dhe Prishtinë, duke emëruar zyrtarë për shërbime ndaj qytetarëve, bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe çështje të tjera.

Të bëjnë progres në çështjet e vetëqeverisjes dhe statusit, në dialogun
e lehtësuar nga BE-ja

Qeverive të Kosovës dhe Serbisë::

14.  Të angazhohen në një diskutim themelor për transformimin e strukturave ekzi­stuese në veri në organe vetëqeverisëse dhe në një rajon që mund të përshtatet në juridiksionin e Kosovës, me kompetencat e renditura në planin e Ahtisarit dhe me çdo plan tjetër të miratuar.

Për qeverinë e Serbisë:

15.  Të mirëpresë anëtarësimin e Kosovës dhe pjesëmarrjen në Këshillin e Evropës dhe organizata dhe evenimente të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Të avancojë rolin e saj si lehtësuese e procesit për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë

Për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare:

16.  Të mirëmbajnë kushtëzimet në lidhje me progresin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe nëse arrihet ky progres, të jenë të përgatitur për të marrë vendimet e ne­voj­shme deri në qershor 2013, për të hapur negociatat me Serbinë për anëta­rë­si­min, dhe negociatat me Kosovën për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA).

Prishtinë/Beograd/Bruksel, 19 shkurt 2013

 
This page in:
English
shqipe
srpski